Basha vijon prezantimin e planit për turizmin: Objektivat tona janë të qarta, rritje me 15% çdo vit

Kreu i PD, Lulzim Basha, vijoi në Durrës shpalosjen e Programit ShqipëriaFiton për Turizmin.

Gjatë bisedës me sipërmarrës të agjencive turistike, kryedemokrati tregoi se çfarë parashikon ky program për të cekur dhe zhvilluar turizmin në vend.

Basha: Për vet rolin që Durrësi ka, ka qenë jo vetëm ndër të parët por dhe ndër konsultat më të vazhdueshme komuniteti juaj, Komuniteti i Operatorëve Turistikë të Durrësit. Analiza e problemeve, analiza e potencialit të vendit, na ka çuar drejtë një plani pune në angazhime konkrete. Besoj se e keni ndjekur shpalosjen dje. Janë objektiva realiste, të zbatueshme, por që pa diskutim në tërësinë e tyre si pjesë e planit, së pari stabilizojnë krizën e thellë në të cilën është zhytur turizmi shqiptar si pasojë e politikave të gabuara dhe goditjeve të njëpasnjëshme që ka marrë prej tyre. Pa diskutim të rënduara në rastin e Durrësit dhe jo vetëm nga tërmeti, por edhe më pas nga pandemia.

Shpallja e objektivave është hapi i parë, por asnjë objektiv nuk qëndron aty si një premtim, është një angazhim dhe është një rezultat i proceseve dhe reformave që ne kemi propozuar. Disa prej tyre janë reforma që prekin të gjithë ekonominë, siç është taksa e sheshtë 9%, siç është ulja e çmimit të karburantit, siç është reduktimi masiv i burokracisë, i lejeve, i autorizimeve, i kërkesave që kërkon për çdo sektor që aksesohet nga shteti, duke përfshirë dhe sektorin e turizmit. Siç është çështja e çmimit të karburantit por dhe angazhime të tjera që kanë të bëjnë me të gjithë ekonominë.

Një pjesë është e fokusuar te turizmi. Është e fokusuar te turizmi për të theksuar natyrën e turizmit si prioritet kombëtar brenda planit tonë të zhvillimit ekonomik. Dhe këtu objektivat tona janë të qarta. Një rritje prej 15% çdo vit dhe një rritje prej të paktën 2% nga 8 në 10 e sektorit të turizmit në vetvete ku natyrisht nuk përfshihet sektori i agjencive të udhëtimeve ku bashkë me të volumin në ekonomi është më shumë se dyfish”, - iu tha Basha përfaqësuesve  të sektorit të agjencive turistike.