Shkodra sot: S'ka shi, por situata është e përkeqësuar: Kanë dalë nga shtrati liqeni, Buna e Drini

Janë pushuar reshjet por situata në Shkodër është përkeqësuar. Shkak është dalja nga shtrati i liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe lumit Drin.

“Të tre ndodhen jashtë kuotave maksimale pasi ka pasur prurje të shumta, sidomos të ardhura nga Mali i Zi, drejt Liqenit të Shkodrës duke zgjeruar hartën e përmbytjes edhe në qytet” raporton gazetari i Ora News, Bepin Kolvata.

Janë mbi 5400 ha nën ujë, disa lagje të qytetit dhe 5 njësi administrative. Situata më e rënduar është njësia administrative e Dajçit dhe Ana e Malit.

Janë mbi 200 shtëpi të përmbytura dhe 500 shtëpi të rrethuara nga uji, ndërsa në disa zona uji arrin në 3 metra në toka bujqësore.

15 familje janë evakuar por pritet që të ketë dhe evakuime të tjera për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

“Prandaj është vënë në dispozicion konvikti I qendrës studentore me kapacitet pritjeje të jetë në dispozicion në rast të evakuimeve qoftë nga lagjet periferike të Shkodrës apo dhe njëisve administrative.

Bashkia ka përsëritur thirrjen drejtuar qeverisë për të shpallur gjëndjen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore” raporton gazetari i Ora News në Shkodër, Bepin Kolvata.