Ankimimi në Kolegj/ Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Apelit Vlorë

Komisioneri Publik ankimon në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Sokol Ngresit me funksion gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm, vlerëson se, referuar gjendjes së provave dhe fakteve të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe në konsideratë të juridiksionit rivlerësues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, subjekti i rivlerësimit, z. Sokol Ngresi nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 324, datë 11.12.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të vendosë shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Sokol Ngresi.

Me 11 dhjetor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në mënyrë unanime të konfirmojë në detyrë gjyqtarin e Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi.

Trupi gjykues i KPK që kreu rivlerësimin për gjyqtarin Ngresi përbëhej nga Genta Tafa Bungo kryesuese, me relatore Suela Zhegun dhe anëtar Lulzim Hamitajn.

Komisioni është bindur nga provat dhe shpjegimet e gjyqtarit Sokol Ngresi lidhur me pamundësitë për pagesën e dy kësteve për blerjen e një apartamenti dhe për krijimin e gjendjes cash, që u relatuan gjatë seancës dëgjimore. Ngresi kundërshtoi edhe disa gjetje të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK në lidhje me pastërtinë e figurës. Ai u vlerësua pozitivisht për profesionalizmin.

Sokol Ngresi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve 2000 dhe e ushtron funksionin si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Vlorë prej vitit 2005.

Në vitin 2014, ai u dekretua nga presidenti Bujar Nishani si anëtar i Gjykatës së Lartë, por ky vendim nuk mori pëlqimin e mazhorancës në Kuvend.

Aktualisht, Ngresi është kandidat për Gjykatën e Lartë në procesin që po zhvillohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.