Arrestimet në Gjykatën e Krujës, reagon KLGJ: Do merren masa që qytetarët të kenë akses në drejtësi
Pas arrestimeve dhe sekuestrimit të dosjeve ditën e sotme në gjykatën e Krujës ka reaguar edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Përmes një deklarata Këshilli shprehet se, duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, garantohet opinionin publik se ka marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi.
"Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të japë udhëzime nё lidhje me proceset gjyqësore që zhvillohen në gjykatë, procese të cilat duhet të zhvillohen pa asnjë ndikim, të çfarëdolloji. Si organ i qeverisjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor respekton pavarësinë e institucionale dhe të drejtën e qytetarëve për proces të rregullt ligjor. Këshilli do të marrë në vazhdimësi të gjitha masat e duhura për të garantuar vijueshmërinë e veprimtarisë së gjykatave dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor." - thuhet në deklaratën e KLGj-së.
Ndërkohë, operacioni në gjykatën e Krujës është ndërmarrë pas një hetimi disamujor nga SPAK me dyshimin e veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.
Si rezultat u arrestua gjyqtarja Enkeleida Hoxha, sekretarja Manuela Mallakuçi, avokat Aldo Tabaku dhe Shkëlqim Korbi ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore.
SPAK thotë se në skemë është përfshirë edhe shefi i kardiokirurgjisë në QSUT, Edvin Prifti. Ndaj këtij të fundit gjykata ka vendosur pezullimin e ushtrimit të detyrës.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për 10 shtetas.
Arrestimet në Krujë, Yuri Kim: Mos u shfokusoni nga propaganda, reforma në drejtësi me rëndësi
Video/ Me kapuç në kokë, momenti kur gjyqtarja Enkeleida Hoxha hyn në polici