"Me TVSH 6 % as në ëndërr nuk bëjmë evazion fiskal" Basha u prezanon programin operatorëve turistikë

Programin për turizmin, kryetari i Partisë Demorkatike Lulzim Basha, e diskutoi me operatorët turstik. Ai premtoi vëmendje të shtuar, ndërsa tha se vetëm në këtë sektor pritet të hapen 80 mijë vende punë, duke rritur me 15 përqind në vit numrin e vizitorëve të huaj.

Lulzim Basha: "Në praktikë kjo do të thotë, të dyfishojmë numrin  e  të punësuarve në sektor. Në praktikë kjo do të thotë synojmë  një rritje prej 15% të numrit të turistëve vit pas viti. Këto janë objektivat. Instrumente sesi duhet bërë kjo."

Basha tha se parashikohet një fond më vete për trajnimin e burimeve njerëzore në këtë sektor.

Sektori i turizmit, shtoi më tej ai është më i prekuri nga pandemia, e kjo situatë e vështirë tha ai do të vazhdoje edhe për këtë vit.

Operatorët turistikë iu ankuan Bashës për mungesë vëmendjeje ndërsa i thanë atij se me politika konkrete në favor të tyre, ky sektor mund të jap 35 % të ekonomisë.

"Nëse TVSH unifikohet në 6% do sjellë rezultat pozitiv. As në ëndërr nuk do i shkojë në mendje të bëjë evazion fiskal" tha një operator turistik.

 Turizmi tha Basha,  është prioritet kombëtar dhe përveç investimeve të drejtëpërdrejta, parashikohen edhe projekte në ndihmë si rindërtim rrugësh, ujësjellës apo investime të tjera.