Rikthehen klasat virtuale për gjimnazistët, shkak numri i lartë i mungesave
Numri i lartë i mungesave në gjimnaze duket se ka qenë një nga arsyet për zhvillimin e mësimit online për dy javë. Orët do të jenë nga 25 minuta dhe të prekur nga ky vendim janë 115 shkolla të mesme ndërsa platforma që do të përdoret është akademia.al
Data e fundit që është shënuar në tabelat e klasave të gjimnazeve ka qenë 10 shkurti dhe prej të enjtes mësimi do të zhvillohet online.
Ndërkohë që mësimi zhvillohet virtualisht, klasat dhe korridoret e gjimnazeve janë bosh.
Vendimin e së mërkurës e shpjegoi drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar Fiqiri Cifligu.
Në një deklaratë për mediet ai tha se në dy javët e ardhshme do të zbatohet skenari i tretë i mësimit, ai online.
Orët mësimore do të jenë nga 25 minuta dhe vlerësimi do të bëhet në bazë të pjesëmarrjes.
"Në 10 zyrat arsimore ku mësimi kalon online kemi 215 gjimnaze publike dhe jo publike me rreth 48 mijë nxënës."
Ky vendim shpjegoi Cifligu vjen pas përkeqësimit të situatës në shkolla ku është vënë re një rritje e numrit të mungesave, por shifrat zyrtare të të infektuarve i ka vetëm Ministria e Shëndetësisë, tha ai.
"Ka pasur një shtim të numrit të mungesa dhe kjo ka qenë arsyeja që kaluam në këtë skenar, për shifrat e të infektuarve duhet ti drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë."
Në ditën e parë të zhvillimit të mësimit online për gjimnazistët komunikimi mes prindërve mësuesve dhe nxënësve është bërë përmes grupeve virtuale, ku edhe janë raportuar mungesat dhe arsyet e tyre.
Një pjesë e tyre për shkak të mungesës së aksesit në internet po kishte dhe nga ata që raportonin se ishin me Covid.