Video/ Me kapuç në kokë, momenti kur gjyqtarja Enkeleida Hoxha hyn në polici

Ora News sjell momentin kur gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Enkeleida Hoxha shoqërohet në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës mesditën e sotme.

Ajo u arrestua sot në ambientet e gjykatës së Krujës dhe së bashku me sekretaren e kësaj gjykate, Emanuela Mallkuçi do të qëndrojnë në dhomat e paraburgimit deri në momentin kur të dalin para gjykatës për vlerësim të masës së sigurisë.

Gjyqtarja është e veshur me një xhup të zi dhe me kapuç dhe është i dukshëm nervozizmi ndërsa ecën me shpejtësi drejt portës hyrëse.

SPAK thotë se falë hetimeve të këtij procedimi u bë e mundur të evidentohej "një skemë e mirëfilltë kriminale sipas së cilës persona të dënuar që vuanin dënimin në burgun e Fushë Krujës përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt. "

"Të dënuarit kujdeseshin fillimisht që si mbrojtës të tyre të zgjidhnin avokatin Aldo Tabaku,  dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijura me gjyqtaren Enkeleida Hoxha mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit kundret shumave të parave" thuhet në dosjen e SPAK"

"Hetimi ka provuar se e gjitha kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave të konsiderueshme në euro nga 6- 12 mijë euro" thuhet në dokumentin e SPAK.