E gjobitën 5 mln lekë, Braimllari: Rama i tmerruar nga rritja e pandalshme e LSI

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari në një prononcim për Ora News ka reaguar për gjobitjen për shkak të shkeljes së rregullave të pandemisë.

Braimllari ka thënë se nuk ka thyer asnjë rregull, teksa ka shtuar se ky është një sulm politik për shkak të rritjes së LSI në qarkun e Korçës.

Braimllari: Nuk di të përcaktoj kush është kundërshtimi me protokollet, sepse të njëjtin aktivitet kanë ushtruar edhe PS e partitë e tjera. E dyta, kemi parë vetë zonjën Rakacolli ka qenë në një event të tillë partie, në një sallë të mbyllur me një pjesëmarrje të madhe njerëzish.

E treta, përderisa nuk është ndaluar aktiviteti në bare dhe restorante, unë nuk kam shkelur asnjë rregull. Madje të gjithë qytetarët kanë qenë të pajisur me maskë, kanë qenë masat anticovid në hyrje të lokalit, tavolinat kanë qenë me më pak se 10 persona dhe në një distancë nga njëra-tjetra. Unë nuk mund ta quaj thyerje protokolli, sepse vetë Rilindja, përfaqësues të Komitetit Teknik që marrin vendime për pandeminë i kemi parë në takime partie në këtë drejtim. Kjo është e qartë dhe kuptohet, se Edi Rama është i tmerruar nga rritja e pandalshme e LSI në qarkun e Korçës dhe në të gjithë Shqipërinë. Bie në kontradiktë me veten. Sponsorizojnë lajme që ikin njerëz nga LSI, ndërkohë që ne gjobitemi se kemi shumë njerëz.

E gjitha kjo bëhet për politikë të Edi Ramës për të intimiduar qytetarët, për të ulur ritmin e LSI. Por ia them qartë Edi Ramës, Niko Peleshit dhe kujtdo tjetër që në qarkun e Korçës nuk ka shanse që të ulet ritmi i LSI, këtë do ta shikojnë me 25 prill kur rinia korçare do t’i japë goditjen spektakolare këtyre personave.

Lexo edhe: Endrit Braimllari gjobë 5 milionë lekë, organizoi takim në kundërshtim me masat anticovid