Endrit Braimllari i LSI-së gjobitet me 5 mln lekë për takimin në Maliq, masa administrative edhe në Durrës
Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e supërgjobave për aktivitetet e ndaluara nga protokollet anti-Covid. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, është gjobitur me masën administrative 5 milionë lekë, pasi ka organizuar një takim politik në kundërshtim me masat parandaluese të pandemisë në Maliq. Më të njëjtën masë administrative është gjobitur edhe një shoqatë në Durrës për organizimin e një ceremonie ku ishte i pranishëm presidenti Meta.
5 milion lekë gjobë i kanë kushtuar sekretarit të përgjithshëm të LSI, Endrit Braimllari postimi në rrjetet sociale të pamjeve nga një takim politik mbajtur në Bashkinë e Maliqit.
Në ditën e hyrjes në fuqi masave të reja shtrënguese, policia njoftoi masën administrative ndaj zyrtarit të LSI për shkelje të protokollit parandalues të përhapjes së koronavirusit.
Endrit Braimllari, sipas policisë ishte organizator i aktivitetit duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim të aktit normative.
Me 1 milion lek është gjobitur edhe pronarja e lokalit ku u mbajt takimi i anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
I kontaktuar nga Ora News, Braimllari tha se ishte njohur përmes medias me gjobën e Policisë së Korçës, ndërsa ngre dyshime për selektivitetet nga ana e bluve të Korçës.
Sipas Braimllarit, në zonën e Maliqit kanë mbajtur takime politike edhe përfaqësues të PS e PD, por në dijeninë e tij ndaj tyre nuk janë marrë masa administrative.
“Bëhet me urdhër politik të Edi Ramës për të intimiduar qytetarët ose për të ulur ritmin e LSI.”
Pamjet në video ndërkohë tregojnë momentin kur policia e Durrësit gjobitur me 5 mln lekë Shoqatën Durrësi Autokton për organizimin e një aktiviteti ku presidenti Ilir Meta i dha dekoratën Nderi i Kombit, arkeologut Vangjel Toçi, i njohur për zbulimin e Amfiteatrit të Durrësit.
Masa administrative u vendos pas largimit të Presidentit, ndërsa është paralajmëruar se do të kundërshtohet në Gjykatë nga Shoqata Durrësi Autokton.
Ndërkohë policia thotë se kontrollet për zbatimin e masave u përqendruan në linjat urbane dhe interurbane të transportit publik, ku janë gjobitur 283 persona për shkelje.
LEXO EDHE
Braimllari: Rama i tmerruar nga rritja e pandalshme e LSI