Investimet e Lelit "i shkriu" shiu, banorët e Vlorës zgjohen të përmbytur
“Kjo ka qenë një rrugë që diskutohej gjithmonë që qytetarët e kërkonin për investim dhe tani ka përfunduar. Janë shtruar trotuaret dhe ka hapësira për parking.”
Një muaj pas kësaj deklarate, ku kreu i Bashkisë Së Vlorës, Dritan Leli i paraqiste kryeministrit Edi Rama investimet në lagjen Isa Boletini, reshjet e shiu, dhe përmbytjet kanë nxjerrë në pah problematikat e mëdha të investimit.
Uji ka mbuluar rrugën dhe trotuaret, dhe banorët janë detyruar që të kalojnë mes kësaj situate që duket si lum.
“Pa kanalizim, pa ndriçim, pa gjelbërim. Shiko çfarë bëhet, liqen.”
Banorët e shumë lagjeve të tjera në qytetin bregdetar janë zgjuar mëngjesin e së mërkurës me rrugët e mbushura me ujë, ndërsa edhe investimet e realizuara së fundi edhe në hyrje të qytetit duket se nuk kanë dhënë asnjë efekt.
Veç lagjeve të qytetit, edhe në Zonat turistike si Orikum, Tragjas, Radhimë dhe fshatra të tjerë reshjet e shiut kanë nxjerrë në pah mungesën e investimeve serioze, pasi ata kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e linjave të amortizuara.