Situata: Toka të përmbytura në Lezhë, rrëshqitje dherash në Elbasan, Devolli pa drita

Liqeni i Shkodrës u shtri këtë të enjte në rrugët e qytetit. Lumi Buna doli nga shtrati, pas reshjeve te dendura që u rikthyen në qytetin e Shkodrës.

Prurje të mëdha ka edhe lumi Drin. Gjatë natës mbi 10 familje në qytet u evakuuan tek të afërmit e tyre, ndërsa të enjten 3 familje të tjera u dërguan në qendrën e pritjes.

Më shumë se 1 mijë hektarë tokë janë përmbytur në vetëm 24 orët e fundit, ndërsa gjithsej nën ujë ndodhen 5030 hektarë sipërfaqe.

Disa fshatra janë të bllokuar, dhe shirat shtuar më shumë nivelin e ujit duke e bërë të pamundur qarkullimin.

Në Elbasan, reshjet intensive kanë shkaktuar rënie inertesh dhe aluvionesh në disa akse rrugore. Si pasojë e bllokimit të një kanali në Labinot Fushë, një biznes privat ka hasur me prezencë uji.

Në Njësitë Administrative Kodovjat të Gramshit, Shalës në Cërrik dhe Përparim në Peqin, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.

Problematika ka pasur edhe në qytetin e Fierit, ku lumi i Gjanicës që përshkon qytetin ka sjellë ndotje të shumta. Situata në lumenj deri më tani paraqitet brenda normaleve dhe nuk paraqitet rrezikshmëri në daljen e tyre nga shtrati.

https://youtu.be/OFZIKeduAh8

Në Lezhë raportohet të jenë përmbytur rreth 300 hektarë tokë bujqësore në zonën e ish-kënetës Torovicë të Njësisë Administrative Balldre.  Lumenjtë janë rreth 25-45 cm mbi kuotat normale, por pa problem.

Problem paraqet rruga rurale Rrëshen-Bukmirë, sepse kemi rrëshqitje të dherave dhe ulje të shtratit të rrugës, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve.

https://youtu.be/aY_ZhwFPhWo

Sakaq në Peshtan e Kodras të Moglicës prej tre ditësh ka mungesë të energjisë elektrike, ndërkohë që në fshatrat e Vithkuqit energjia është ndërpretë mëngjesin e sotëm.

Deri më tani në qarkun e Korçës nuk raportohen probleme nga moti i keq. Ndërprerje të energjisë raportohet të ketë pasur edhe në Devoll.

Në qytetin bregdetar të Vlorës, që në orët e para të mëngjesit reshjet kanë bllokuar rrugët.

“Nuk kam ku kaloj. Është mbushur shtëpia ime gjithë. Nuk është e para herë.”

Furnizimi me energji mbetet problem në Orikum, Radhimë dhe zonat e tjera përreth, ndërsa në Llogaraja është mbuluar nga bora.

Reshjet e shiut kanë sjellë probleme edhe në bllokimin e kanalizimeve në Berat.

Raportohet se janë bllokuar kanalizimet në rrugën nacionale nga Spitali në drejtim të Uznovës, në vendin e quajtur kthesa e fshatit Roshnik.

Pusetat e ujërave të zeza kanë dalë jashtë përdorimit. Ndërsa prej disa orësh ka munguar energjia elektrike në disa zona.

Edhe në Durrës, Erzeni rrezikon që të dalë nga shtrati nëse shirat vijojnë, pas prurjeve të shumta.