Covid, Meta: Qeveria të ndalojë urgjentisht pagesat për koncesionet! Të rimbursohen familje e biznese

Shifra të frikshme janë shënuar  nga koronavirusi gjatë javës së fundit, rekorde që thyejnë njëri-tjetrin ditë pas dite, ndërkohë që duket se menaxhimi i situatës nuk po shkon ashtu siç duhet.

Kjo detyroi edhe Komitetin e Ekspertëve të rrisë me dy orë orarin e ndalim qarkullimit.

Presidenti Meta thotë se qeveria e ka politizuar për fat të keq pandeminë ndaj kemi edhe këtë situatë kaotike.

Ai apelon qeverinë të ndalojë urgjentisht pagesat për koncesionet dhe të rimbursohen të gjitha familjet e prekura dhe bizneset e dëmtuara nga COVID-19.

Meta: Duhet të ishte bërë shumë më tepër për të mos patur një menaxhim të improvizuar, kaotik, me ndryshime vendimesh sipas konjukturave apo momenteve të caktuara.

Duhet të kishim pasur një menaxhim shumë më profesional, por për fat të keq ka pasur mjaft politizim nga ana e Qeverisë, e cila nuk e ka konsideruar këtë çështje si prioritet të parë dhe më të rëndësishëm, ndonëse shëndeti dhe jeta e qytetarit janë gjëja më e çmuar dhe më e shtrenjtë për çdo shoqëri dhe për çdo shtet demokratik.

Në fund të dhjetorit, në qoftë se ju e kujtoni, unë u detyrova të ktheja buxhetin e shtetit për rishikim, ku shqetësimi im kryesor ishte  mbështetja e sektorit të shëndetësisë për një përballim më efikas të pandemisë.

Burimet financiare ekzistonin dhe ekzistojnë, sepse në të njëjtin buxhet ku tashmë kemi hyrë, u dyfishua pagesa për koncensionet, që përveç dyshimeve për kostot dhe leverdisshmërinë e tyre, edhe mund të shtyheshin sepse çështja e shëndetit të popullatës është prioritet mbi prioritetet.

Për fat të keq nuk e kemi parë këtë prioritet të materializuar në masa e në veprime konkrete, si blerjen e pajisjeve jetëshpëtuese në spitalet që trajtojnë COVID-in, përforcimin e kapaciteteve të spitaleve rajonale për të trajtuar pandeminë apo edhe rimbursimin e shpenzimeve, tepër të larta për të gjithë ata që jetojnë në kufijtë e varfërisë, dhe sidomos për ata që mjekohen në familje. Shpresojmë të ketë një reflektim të menjëhershëm!

Deklaratat Meta i bëri gjatë  një interviste për emisionin “Faktor” në RTSH Korça, ku kërkoi një program të qartë për vaksinimin.

Meta: Është tepër e rëndësishme dhe imediate, përveç një plani transparent vaksinimi, sepse transparenca, është siguri për qytetarin.