Përgjimet e antimafias: SPAK do i kërkojë lejet e ndërtimit bashkisë së Tiranës
Prokuroria e Posaçme SPAK, i është drejtuar me një kërkesë, Agjencisë së Prokurimeve Publike, duke kërkuar të gjithë dokumentacionin për procedurat tenderuese, që kanë përfituar personat e përmendura në përgjimet e dosjes italiane, “Ndragheta”. Kërkesa mësohet të jetë përpiluar nga prokurori i posaçëm, Sotir Kllapi, i cili synon të gjejë prova shkresore pranë agjensisë së tendera.
Burime të Ora News, thanë se një kërkesë e ngjashme, do i dërgohet dhe Bashkisë së Tiranës, ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera, që përmenden në përgjime, për të mësuar nëse individët si Antonio Gallo, Saverio Brutto, Tommaso Brutto, Ercole D’Alessandr apo Besnik Halili, kanë përfituar tendera në periudhën kur janë kryer këto bisedime.
Nëpërmjet zbulimit të dokumenteve prokuroria kërkon të provojë nëse bisedat e përgjuara kanë bazë apo jo. A korrespondojnë me veprime konkrete, në marrjen e tenderave në institucionet publike Shqiptare dhe lejeve ndërtimore në Bashkinë e Tiranës, apo janë vetëm planë të mbetura pezull. Gjithashtu në kuadër të këtij hetimi, SPAK, ka kërkuar nga ministria e Drejtësisë, të njihet me listën e përkthyesve ligjorë të licensuar me qëllim, përkthimin e kësaj dosje voluminoze në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Kjo për shkak se SPAK, i druhet një dekonspirimi të mundshëm dhe rrjedhjes në publik apo tek palët e interesuara të bisedave komprometuese.
Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e përgjimeve të publikuara nga Ora Neës, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e zyrtarëve shqiptarë dhe personave të huaj, në aktivitete kriminale në vend.
Hetimet nisën në 25 janar 2021, ndërkohë në lidhje me këtë çështje drejtuesi i SPAK, në 4 shkurt 2021 udhëtoi në Romë, ku zhvilloi një takim pune me kryeprokurorin e Antimafias De Naro, ku palët ranë dakord të bashkëpunonin për ngritjen e një hetimi paralel në të dyja vendet.