Indian me pasaportë amerikane dhe me.../ Kush është viktima e sotme në Pogradec
Një indian me pasaportë amerikane, i identikfikuar si Najebul Hasan, është gjendur i pajetë në banesën e tij në fshatin turistik Tushemisht në Pogradec.
Siç raporton gazetarja e Ora News Iris Rezhda, viktima 62-vjeç është transportuar në morgun e Pogradecit ndërsa më pas do të transportohet drejt Tiranës për t'iu nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore.
Në trupin e viktimës nuk janë vënë re shenja dhune, ndërsa dyshohet të ketë ndërruar jetë për shkaqe shëndetësore.
Policia e Pogradecit ka gjetur në banesën e viktimës lëndë narkotike hashash të vendosur në vazot e luleve.
Shtetasi ishte proceduar më herët për kultivim hashashi nga policia e Pogradecit, ndërsa çështja është ende në prokurori.
Sipas burimeve për Ora News, viktima e kultivonte lëndën narkotike si formë për të luftuar një sëmundje nga e cila vuante.
Njoftimi i Policisë Pogradec për ngjarjen:
Informacion paraprak
Mëngjesin e sotëm në fshatin Tushemisht, Pogradec, në banesën e tij është gjetur pa shenja jete shtetasi amerikan N. H., 62 vjeç.
Nga kqyrja paraprake e trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ky shtetas mund të ketë gjetur vdekjen nga shkaqe natyrale, pasi ka patur probleme shëndetësore të mëparshme.
Po punohet për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.