Ishte kthyer në makth për qytetarët, arrestohet 39-vjeçari në Elbasan

Një 39-vjeçar, i cili ishte kthyer në makthin e qytetarëve në Elbasan duke u vjedhur atyre portofola, çanta apo celularët, ka rënë në prangat e policisë.

Gjatë operacionit të koduar 'Përsëritësi' u arrestua F. Z., 39 vjeç, banues në Elbasan, ndërsa janë zbardhur dhe 4 vjedhje të kryera nga ky shtetas.

"Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e rasteve të ndodhura më parë, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan organizuan dhe finalizuan operacion policor të koduar "Përsëritësi", në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: F. Z., 39 vjeç, banues në Elbasan.

Arrestimi i tij u bë pasi ditën e djeshme, në lagjen "5 Maji", Elbasan, i ka vjedhur portofolin shtetases A. D", thotë Polici e Elbasanit në njoftimin e saj.

Rastet e vjedhjeve:

Më datë 01.02.2021 dyshohet se i ka vjedhur një aparatin celular shtetases V. B.;

Më datë 29.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases L. D.;

Më datë 28.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases M. T.;

Më datë 18.12.2020 dyshohet se i ka vjedhur çantën shtetases B. Ll.