Me 7 emigrantë të paligjshëm në makinë, arrestohet 26-vjeçari në Shkodër
Një 26 vjeçar i cili po transportonte emigrantë të paligjshëm drejt Malit të Zi, është arrestuar nga policia e Shkodrës .
Në aksin rrugor Shkodër - Hani Hotit, në vendin e quajtur Vukpalaj, shtetasi me iniciale F. B., është kapur teksa po transportonte me automjet 7 emigrantë të paligjshëm me destinacion final vendet e BE-së.
Nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër u finalizua operacioni i koduar “Vukpalaj". Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi F. B., 26 vjeç, banues në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe. Ky shtetas u kap në flagrancë duke transportuar me një automjet, 7 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm njofton policia
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit".