Reagime pas afrimit Kosovë-Izrael, Turqia dhe BE-ja kritikojnë zgjedhjen e Jerusalemit për ambasadën

Njohja e pavarësisë dhe afrimi Kosovë-Izrael është pritur me përgëzime por edhe kritika në qarqet ndërkombëtare. Serbia thotë se e parashikonte diçka të tillë ndërsa Turqia dhe Bashkimi Europian kanë rezerva për zgjedhjen e Jerusalemit për vendndodhjen e ambasadës kosovare.

Vendosja e lidhjeve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit u komentua një ditë më parë nga palët si një hap që pritet të konsolidojë pozitat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Por në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç nuk e mohoi pakënaqësinë e tij.

Pas vizitës në Francë ku diskutoi mes të tjerash edhe për Kosovën me homologun, Emanuel Makron, Vuçiç tha se këtë megjithatë e priste pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington.

"Pritej prej gjashtë muajsh. Prandaj nuk deshëm ta nënshkruajmë dokumentin e përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët. Nuk deshëm ta inkurajojmë, por ta shkurajojmë Izraelin për një veprim të tillë. Por ja që Izraeli vendosi se Amerika është më e rëndësishme."

Kosova i ka kërkuar Izraelit që ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem.

Izraeli e pretendon atë kryeqytet të sajin, por në botë deri tani e njohin si të tillë vetëm SHBA-ja dhe Guatemala.

"Ky është vendim zhgënjyes nga ana e Kosovës sepse e largon atë nga qëndrimi që ka BE-ja për statusin e Jerusalemit. Ambasadat e vendeve anëtare dhe delegacioni i BE-së ndodhen në Tel-Aviv," reagoi të martën zëdhënësi për politikat e jashtme i Komisionit Europian.

Kritikat për zgjedhjen e Jerusalemit për ambasadën kosovare i shprehu edhe Lidhja Arabe dhe Turqia.

"Zotimi në fjalë i Kosovës është në shkelje të ligjit ndërkombëtar, veçanërisht me rezolutat e OKB-së. Kjo nuk do i shërbejë kauzës palestineze dhe rrezikon vizionin për zgjidhje dyshtetërore."

Të hënën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se përmirësimi i raporteve dhe njohja e pavarësisë nga Izraeli i krijon vendit miq të rinj në Lindjen e Mesme.