E rëndë/ Polici i jep fund jetës në hyrje të komisariatit
Vret veten një efektiv policie në Komunën e Ranillugut në Kosovë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në hyrje të stacionit policor, ndërsa rasti është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.
“Me urdhër të prokurorit trupi i të ndjerit është dërguar për ekzaminim, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, raportojnë mediat në Kosovë.
Ndërkohë, prokurori i Gjilanit, Arben Kadriu ka thënë për "Kallxo" se: “Ajo çka mund të them tani është se dyshohet se një zyrtar policor me armë zyrtare ka kryer vetëvrasje. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të stacionit policor në Ranillug”.
Polici që dyshohet se kreu vetëvrasje mësohet se është shtetasi i identifikuar si R.Hoda.
Nuk dihet motivi që e ka çuar efektivin drejt vetëvrasjes, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.