Marrëdhëniet Kosovë-Izrael/ BE dhe Turqia kundër, Vuçiq: Izraeli zgjodhi Amerikën

Vendosja e lidhjeve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit u komentua një ditë më parë nga palët si një hap që pritet të konsolidojë pozitat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Por në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç nuk e mohoi pakënaqësinë e tij.

Pas vizitës në Francë ku diskutoi mes të tjerash edhe për Kosovën me homologun, Emanuel Makron, Vuçiç tha se kjo megjithatë ishte e pritur pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington.

"Pritej prej gjashtë muajsh. Për këtë arsye nuk deshëm ta nënshkruajmë një dokument të përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët. Nuk deshëm ta inkurajojmë, por ta shkurajojmë Izraelin të bëj një veprim të tillë. Por ja që Izraeli vendosi që Amerika është më e rëndësishme."

Kosova ka kërkuar që ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem, të cilin Izraeli e pretendon kryeqytet të sajin, por në botë deri tani e njohin si të tillë vetëm SHBA-ja dhe Guatemala.

"Zotimi në fjalë i Kosovës është në shkelje të ligjit ndërkombëtar, veçanërisht me rezolutat e OKB-së. Kjo nuk do i shërbejë kauzës palestineze dhe rrezikon vizionin për zgjidhje dyshtetërore," reagoi Ministria e Jashtme turke.

Të njëjtin qëndrim ndau një ditë më parë edhe Bashkimi Europian, duke marrë edhe reagimin e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

"Kosova nuk ka ambasadë në Madrid, Bratislavë, Athinë, Bukuresht, Nikozi. Do kish qenë mirë që Brukseli, para se të na japë leksione për ambasadën në Jerusalem, të deklarohet pak për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE-së. Për viza nuk po flas më mirë."

Të hënën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se përmirësimi i raporteve dhe njohja e pavarësisë nga Izraeli i krijon vendit miq të rinj në Lindjen e Mesme.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike u përshëndet nga aktorët politikë vendës e rajonalë, ndërsa nga Uashingtoni, ish-i dërguari i presidentit Donald Tramp për dialogun Kosovë-Serbi, Riçard Grenell, e konsideroi një ditë historike.