"Jerusalem Post": Vuçiq bëri përpjekje që Izraeli të mos e njohë Kosovën
Izraeli dhe Kosova do të krijojnë marrëdhënie të plota diplomatike të hënën, shkroi ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla në profilin e saj zyrtar.
Marrëdhëniet Izrael-Kosovë erdhën si pjesë e një marrëveshjeje të udhëhequr nga Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump më 3 shtator, që Kosova dhe Serbia të nisin lidhje ekonomike midis të dyja vendeve.
Këto marrëveshje përfshinin gjithashtu normalizimin midis Izraelit dhe Kosovës dhe që të dyja shtetet e Ballkanit të hapnin ambasada në Jeruzalem.
E përditshmja izraelite "Jerusalem Post" shkruan se në muajin shtator, burime të afërta me presidentin serb Aleksandër Vuçiq e kishin bërë të qartë se nëse Beogradi hap një ambasadë në Jeruzalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte Kosovën si shtet të pavarur megjithëse mund të mbante lidhje të nivelit më të ulët.
Sipas gazetës, duke iu referuar burimit, Serbia mund ta hapte ambasadën në Jeruzalem, siç përcakton marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por marrëdhëniet me Izraelin do të degradohen.