Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, Xhaçka: Kosova shtet, një realitet i patjetërsueshëm

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

Në një postim në twitter, Xhaçka shprehet se ky hap është një tjetër konfirmim se Kosova shtet është një realitet i patjetërsueshëm.

"Rajoni ynë është sot më i sigurt dhe i qëndrueshëm. Kjo ngjarje historike konfirmon edhe njëherë miqësinë midis dy kombeve shqiptaro-izraelite. Mirënjohje dhe falenderim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës  për të gjithë mbështetjen" shkruan Xhaçka.

Kosova dhe Izraeli formalizuanm sot marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si "historik".

Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Ministri izraelit, Ashkenazi tha se të dyja shtetet po bëjnë histori.

Ai po ashtu bëri të ditur se mëngjesin e 1 shkurtit ka miratuar kërkesën e Haradinaj-Stubllës që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Po ashtu, Izraeli ka falënderuar Kosovën për rolin që ka marrë në luftën kundër antisemitizmit.

Ndërkaq, minstrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, tha se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur.