Manastirliu: Në shkurt mbyllim vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve, nisim të moshuarit

Në një prononcim për mediat nga stadiumi “Air Albania”, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se, mbi 650 mjekë dhe infermierë që janë në vijën e parë të luftës anti-Covid janë vaksinuar tashmë, ndërsa sot po marrine dhe dozën e dytë.

“Më shumë se 650 mjekë, infermierë të vijës së parë, të cilët punojnë në spitalet Covid, janë vaksinuar deri tani. Dhe nga sot janë duke marrë edhe dozën e dytë sipas afateve kohore të përcaktuara.

Do të vijojmë me fushatën e vaksinimit. Sigurisht që qëndra “Arena Kombëtare” është qendra e parë që ne kemi hapur për vaksinimin e përqendruar por të vazhdojmë edhe me qëndra të tjera. Gjithashtu do të vazhdohet me vaksinimin kapilar edhe në qendrat shëndetësore në momentin që do të kemi ardhjen e serive të tjera të vaksinës që priten të vijnë nga Pfizer apo siç e kemi thënë edhe nga marrëveshja që pritet të nënshkrohet me “AstraZeneca”-n", tha ministrja Manastirliu.

E pyetur se a mjaftojnë dozat e mbërritura, ministrja e Shëndetësisë u shpreh se gjatë javëve në vazhdim pritet të mbërrijë edhe një sasi tjetër.

Manastirliu: Vaksinimi vazhdon. Është një proces dinamik. Pritet që në javët në vazhdim të kemi edhe dozat e tjera të “Pfizer”. Rreth 10 mijë doza e më pas  30 mijë të tjera.

Mbrëmjen e djeshme, në Shqipëri mbërriti një sasi prej 1170 dozash, prodhim i kompanisë amerikane "Pfizer".

Lexo edhe:

Doza e dytë e vaksinës anti-Covid, vaksinohet kryeministri Rama