Listat zgjedhore, Vasili: Partitë po masin terrenin, LSI pa rivalë në intensitetin e punës
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili për RTV Or ka thënë se partitë opozitare po vëzhgojnë kandidatët e mundshëm për deputetë në lidhje me cilësitë e tyre.
Vasili ka thënë se lista është e gjatë, por do të kalojnë në një test për komunikimin me njerëzit, ndërkohë që shton se LSI ka intensitet të lartë të punës në terren.
Vasili: Ne si LSI nuk kemi çuar listë kurrë në minutën e fundit, por partitë përpiqen të masin terrenin. Lista po bëhet në proces e sipër, ka një masë të madhe kandidatësh që konkludohet që këta janë njerëz që komunikojnë mirë me elektoratin, janë veshëmprehtë për të dëgjuar se çfarë thuhet, janë komunikues të mirë.
Ne nuk kemi shkolla të mëdha politike që përgatisin politikanë. Pra është një test se si përballohet raporti me njerëzit e thjeshtë. Kjo është një kohë që ne përdorim, fushata është një kohë që edhe ne e përdorim për të parë se si njerëzit e një force politike arrijnë të komunikojnë dhe të bëhen më të besueshëm. Një gjë iu garantoj që LSI nuk do të çojë listë në minutën e fundit, siç nuk ka ndodhur kurrë. Por akoma një kohë të çmuar do ta përdorim që ekipi të jetë vërtetë i mirë. Për intensitetin e punës në terren, besoj LSI nuk ka rivalë në këtë drejtim. Kjo është në të mirë në krijimin e frymës opozitare gjithmonë e më aktive dhe të vërtetë. Hapa të mëdhenj të opozitës janë qoftë programi i LSI, qoftë edhe i PD, i japin pamjen se si do të dalim nga situata. Ndërkohë që këtej kemi shollën e këpucës dhe një tepsi e kusi si përherë.
Përshtati për online Tea Islamaj.