Vaksinimi i stafeve universitare, Rama: Pa lidhje, mësimi është online dhe nuk kemi doza të mjaftueshme
Sindikata e punonjësve të Universiteteve ka kërkuar që të përfshihet në planin kombëtar të vaksinimit për Covid në mënyrë që të ritkhehen sa më shpejt në auditore.
I pyetur rreth kësaj çështje, kryeministri Rama tha se për momentin ata duhet të ruajnë veten pasi dozat e vaksinave të siguruara nga qeveria nuk lejojnë për momentin shtrirjen deri te sindikata.
Rama: Ku hyn sindikata në këtë mes që flet për diçka që është pa lidhje për fatin se kush vaksinohet është shumë e qartë. Të gjithë ata që duan. Por cila është radha është po kaq e qartë në raport me sasitë e vaksinave që kemi në dispozicion. Këtë po bëjnë të gjitha vendet, këtë po bëjmë edhe ne. E kuptoj shumë mirë që ata janë të rrezikuar, edhe ju jeni të rrezikuar sepse keni një punë në terren që keni kontakte. Por edhe sindikata, edhe ju duhet për momentin të ruheni sepse nuk ju ka ardhur radha, jo se nuk duam ne. Më të rrezikuarit janë bluzat e bardha, moshat e thyera. Sindikata e punonjësve të Universitetit duhet të shfrytëzojë këtë moment që nuk është e detyruar trupa e profesorëve që të hyjë në auditor me 50-60 veta. Prandaj është kjo masë që të mbrohen ata që janë realisht drejtëpëdrejtë të rrezikuar nëse hapen auditoret dhe nëse kthehet jeta normale në Universitet sepse sjell vetëvetiu vatra që pastaj e bëjnë virusin të përhapet me shpejtësi. Jam shumë dakord me shqetësimin por është pa lidhje aktualizimi i këtij shqetësimi sepse nga një anë universitetet janë të mbyllura, janë online dhe nga ana tjetër vaksinat po vijnë me doza që nuk na e lejojnë të shkojmë deri te sindikata në këtë moment.