“Sherr” zyrtarësh për përmbytjet, Çako tregon për Ora News pse nuk mund të shpallet gjendja e emergjencës

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi u përplas me deklarata me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi për situatën e përmbytjeve. Sherri i zyrtarëve, pasoi refuzimin që përfaqësuesit e qeverisë i bënë kërkesës për të shpallur gjendjen e emergjencës lokale.

Reshjet kanë pushuar prej 2 ditësh, por 2685 hektarë tokë mbeten nën ujë në Shkodër ku situata mbetet kritike.

Kryebashkiakja Voltana Ademi prej aty përsëriti thirrjen ndaj qeverisë për shpalljen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore.

Përgjigjen refuzuese ia ktheu kreu i emergjencave Civile Haki Çako në një intervistë për Ora News.

Haki Çako: Kryetarja dhe gjithëkush ka të drejtën e vet të kërkojë por ligji është ligj, ligji për mbrojtjen civile i ka të përcaktuara qartësisht rastet dhe kritertet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Ndërsa nisi puna për mbylljen e çarjes që rrezikonte shtëpi e toka, dy gratë që drejtojnë institucionet kryesore në Shkodër u përfshinë në debate.

LEXO EDHE: “Mos me e çu zanin…” Voltana Ademi përplaset me prefekten e Shkodrës: Nuk na kërcënon kush ne!

Kryebashkiakja demokrate u përplas me deklarata edhe me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi që kishte mbërritur në Dajç për të inspektuar situatën.

LEXO EDHE: “Jemi të dënuar të bashkëpunojmë!”Ademi debat me Peleshin për përmbytjet: Qeveria na detyrohet 9.5 mld lekë

Ndërsa banorët e nën-Shkodrës ndodhen nën ujë prej 20 ditësh, “politizimi” i përmbytjeve dhe “lufta mes institucioneve nuk mungojnë.