Përgjimet e antimafias: Çela nxit hetimet për kritikon vonesat, hesht kreu i SPAK

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, është treguar kritik me vonesat për nisjen e hetimeve në Shqipëri për përgjimet e Antimafias italiane. Ai ka thënë se është detyrë e çdo prokurori që të fitllojë hetimet kryesisht kur merr dijeni për një vepër penale. Ndërkaq kreu i SPAK, Arben Kraja, ka shmangur komentet duke mos pranuar të flasë nëse ka nisur hetimet për këtë rast.

Tirane - Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u tregua kritik në lidhje me mos nisjen e hetimeve për dosjen “Ndragheta” në të cilën ka përgjime ku flitet për korrupsion me lejet e ndërtimit në Shqipëri.

I pyetur nëse në Shqipëri ka nisur ndonjë hetim në lidhje me këte çështje, kreu i akuzës tha se është detyrë e çdo prokurori që të nisë hetimet, duke vijuar me tej se tashmë prokurorët janë të pavaruar dhe nuk urdhërohen nga Prokurori i Përgjithshëm.

"Të nisin kryesisht hetimet për çdo fakt penal për të cilin ata vihen në dijeni. Prokurori i Përgjithshëm përgjatë 2020 ka marrë të gjithë masat administrative që garantojnë prokurorët për të vepruar në pavarësi të plotë. Askush nuk mund ti pengojë prokurorët sot, drejtuesit e prokurorisë që të nisin  hetimet për çështje  të cilat janë në kompetencën e tyre lëndore dhe tokësore".

Foto: LSA, Olsian Çela, në Polin e Drejtësisë, 28 janar 2021

Ndërsa kreu i SPAK, Arben Kraja, shmangu përgjigjen për mediat nëse ka regjistruar apo jo procedim në lidhje me faktet e publikuara nga dosja e Antimafias italiane.

“Nuk kam asnjë koment për këtë çështje".

Arben Kraja në ambientet e Polit të Drejtësisë, 28 janar 2021


Dy krerët e institucioneve te akuzës i bënë këto deklarata paraditen e 28 janarit 2021, në ambientet e Polit të Drejtësisë ku prokurorët nga i gjithë vendi u mblodhën për të votuar dy emra për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët do të zëvendësojnë dy anëtarët e shkarkuar nga KPA Arben Dollapi dhe Besnik Cani.

Në garë për dy vende ishin 5 prokurorë. Pas votimit, mësohet se dy anëtarët e rinj të KLP janë zgjedhur Eloida Goxhi nga shkalla e parë dhe Moisi Duda nga prokuroritë e Apelit.