"Mjeshtër i madh i letërsisë", Basha uron Kadarenë me rastin e 85-vjetorit: Gur i çmuar i historisë sonë të përbashkët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një postimi në Twitter, uron shkrimtarin e madh Ismail Kadare me rastin e 85-vjetorit të lindjes.

Sipas kryedemokratit, Kadare është njeriu i shquar i letrave që me talentin dhe punën e tij ndriçoi një kohë të errët të historisë dhe orientoi drejt më të mirës.

Lulzim Basha: Urimet më të ngrohta sot në ditëlindjen e Ismail Kadaresë, shkrimtarit të madh, intelektualit me dimensione tej gjithë kufijve gjeografikë dhe politikë, njeriut të shquar të letrave që me talentin dhe punën e tij ndriçoi një kohë të errët të historisë dhe orientoi drejt më të mirës.

Fjalët për një mjeshtër të fjalës dhe letërsisë nuk do të ishin kurrë të mjaftueshme, ashtu si dhe mirënjohja e të gjithë shqiptarëve për gurin e çmuar të letërsisë dhe historisë sonë të përbashkët.

Më herët, shkrimtari Kadare ishte uruar edhe nga kryeministri Edi Rama.

ISMAIL KADARE mbush sot 85 vjeç.

Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare - ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve... Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtoj urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë: "Mendimin tuaj, që ëndërron në trurin e butë,si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;gjersa të ngopem, idhnak e brutal."

Kush është Ismail Kadare?

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në qytetin e Gjirokastrës.

Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Kur u vendos regjimi komunist, ai ishte vetëm 8 vjeç. Në moshën 12 vjeçare arrestohet nga regjimi i sapovendosur komunist nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur. Në moshën 13 vjeçare zbuloi Makbethin, një ndër veprat e Shekspriut dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista Pionieri në Tiranë.]

Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë "Mjegullat e Tiranës", të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve. Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki", gjatë periudhës së zbutjes hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht.

Në institutin Gorki, vendos të hedhë poshtë kanonet e realizmit socialist dhe të shkruajë të kundërtën e asaj që dogma komuniste e quante letërsi "të mirë".Ai gjithashtu kultivoi një qëndrim përbuzës ndaj servilëve të partisë dhe të nomenklaturës, një qëndrim i cili, shkruan ai, ishte produkt i arrogancës rinore.

Kadare detyrohet t'i braktisë studimet para kohe për shkak të prishjeve të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Çmimin Man Booker International, më 2009 çmimin "Prince of Asturias Awards" për Artet, në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, në vitin 2019 Çmimin Park Kyong-ni ndërsa në vitin 2020 çmimet Neustadt dhe Prozart. Më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.