Balla fajëson opozitën për votat e emigrantëve: Ju duhen edhe katër vite që të kthjellohen
Në seancën e sotme parlamentare, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i bëri thirrje KQZ-së t'i përmbahet ndryshimeve Kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, lidhur me mundësinë e votës së emigrantëve.
Sipas tij, vota e tyre bojkotohet nga opozita jashtëparlamentare.
"Shpresoj dhe besoj që histori të vjetra të opozitës jo parlamentare me bojkote zgjedhjesh ka marrë fund. Por dua të rinënvizoj shkaqet sa herë që kemi folur për kuadrin zgjedhor në Shqipëri, lidhur me votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut. Është detyrim i KQZ-së tashmë të respektojë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, për vënien e mundësisë së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit për të votuar.
Mundësia është aty, vota me postë edhe në Shtetet e Bashkuara funksionoi më së miri dhe në Kosovë në 14 shkurt funksionon më së miri. Unë nuk gjej arsye se përse ju demokratët e paepur bashkë me Xhelal Mziun në krye nuk pranoni që vota e shqiptarëve jashtë territorit të mundësohet. Është një pikë turpi për PD-në që të vijojë bashkë me patericën e vet LSI-në ta kundërshtojë, por unë besoj se kjo i bën nderë zgjedhjeve në Shqipëri", tha Balla.
Duke folur për procesin e rindërtimin, ai ftoi deputetët e opozitës në kuvend të votojnë aktin normativ për pagesat e qirave të banorëve, të cilët kanë mbetur pa strehë pas tërmetit.
Ndërsa ironizoi opozitën jashtëparlamentare se i duhen edhe një 4-vjeçar tjetër për t'u kthjelluar.
"Do të ftoja çdo deputet të opozitës këtu, sepse për ata të jashtëparlamentares nuk kam ndonjë shpresë se do të kthjellohen, ata duhen të kalojnë një 4-vjeçar tjetër për t'u kthjelluar.
Por të paktën ju këtu, mund të shkoni në Laç, mund të shkoni në Manzë, mund të shkoni në Shijak, mund të shkoni në çdo kantier ndërtimi, aty ku po ndërtohen qytete", përfundoi Balla.