Shkodra drejt emergjencës civile, përkeqësohet situata e përmbytjes, Ora News në Obotin e izoluar nga uji

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, do të kërkojë shpalljen e emergjencës civile lokale, si instrument për të përballuar situatën e përkeqësuar të përmbytjeve. Gazetari i Ora News, ishte në fshatrat e Nënshkodrës, ku banorët po përballen me vështirësi.

Harta e përmbytjeve në territorin e bashkisë së Shkodrës ka shkuar në më shumë se 2 mijë ha. Gjatë 24 orëve të fundit ka një rritje mbi 600 ha.

Kjo rritje e sipërfaqes së përmbytur, solli evakuimet e para në Anë të Malit.

Dy shtëpi me prezence uji në fshatin Obot, u braktisen prej familjarëve që jetonin në to.

Dikush në shtëpi me qira në Shkoder, e të tjerë tek të afërmit, derisa uji të largohet.

"Në shtëpi me qira në Shkodër, kam djalin. Është përkeqësuar më tepër, është në shkallë të dytë." Asnjë të ardhur nuk e kam nga shteti."

Niveli i ujit mbi 1 metër në rrugë po nxjerr jashtë përdorimit mjetet e larta të ushtrisë, prandaj në hyrje të rrugës së Obotit prej të martes u dislokua varka e repartit të forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, flet për shpallje të emergjencës lokale.

"Po përgatitemi të kërkojmë të vendosemi në kuadrin e emergjencës civile lokale."

Evakuime po kryhen edhe për gjënë e gjallë ku në fshatin Trush forcat e ushtrisë larguan 400 krere dele.

Stani u përmbyt dhe niveli i ujit i kaloi 1 metër duke detyruar fermerin Mustafë Hyseni të kërkojë ndihmë.

"Prej 15 ditësh në këtë gjendje.I largojmë, dalim dhe flejmë jashtë në breg."

Mungesa e bazës ushqimore për bagëtitë është shqetësim kryesor, ndërsa kërkohet dëmshpërblim.

"Banorët e këtyre zonave prej 18 ditësh kanë shumë shqetësime dhe probleme si me gjënë e gjallë ashtu dhe me tokat."

"Problemin kryesor në zonë e kemi furnizimin me bazë ushqimore për bagëtitë.

Të paktën edhe për 72 orët në vijim, bazuar në parashikimet e IGJEUM, Shkodra ndodhet nën rrezikun e shtimit të sipërfaqes së përmbytur për shkak të reshjeve të shiut dhe prurjeve të shtuara në kaskadën e Drinit.