Mbollën parcela me kanabis në Tragjas të Vlorës, arrestohet 54-vjeçari
Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 54-vjeçar i shpallur në kërkim për trafik narkotikësh një vit më parë. I arrestuari është T. T., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, në bashkëpunim edhe me dy shtetasit e tjerë të arrestuar gjatë operacionit "Tragjasi" në 2020, akuzohet se ka kultivuar bimë të dyshuara cannabis sativa në disa parcela, në fshatin Tragjas.
Operacioni i finalizuar rreth 6 muaj më parë nga Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me forcat policore të Stacionit të Policisë Orikum, çoi në arrestimin e Polidor Selimajt dhe Gerald Bakallit, gjithashtu banues në Tiranë.
Po kështu u proceduan penalisht shtetasit M. R. me detyrë kryeplak i fshatit Tragjas dhe shtetasi A. R, me detyrë elektricist i zonës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 53 bimë narkotike cannabis, një armë zjarri kallashnikov, tri armë gjahu dhe armë të ftohta, ka vijuar puna për kapjen e shtetasit që ishte shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.