Veliaj u padit për përgjimet, Rama: 1000 padi të bëjnë, SPAK e di vetë detyrën
Kryeministri, Edi Rama, deklaroi se qeveria e tij dhe PS nuk ka asnjë përgjegjësi në raport me përgjimet e Antimafias italiane.
Sipas tij, në vendin tonë nuk ka depërtuar asnjë lloj investimi nga mafia.
Sipas tij, i vetmi biznes i hapur në vend nga biznesmenët italianë të kapur në përgjime është një dyqan rrobash, edhe ai i mbyllur pas daljes me humbje.
Kallëzimi penal në SPAK i kryebashkiakut Veliaj nuk do të thotë asgjë për Ramën, duke e akuzuar për këtë opozitën.
Pyetje: Fajësoni median që po e bën Shqipërinë pis, por vendit e keqja i ka ardhur nga politikanë që kanë dhënë tendera dhe marrë vendime. Pse nuk ja kërkoni SPAK të bëjë hetime nëse ka indicie, sot Nisma Thurje ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Rama: Unë nuk fajësoj mediat. Nuk e keni marrë vesh akoma që kur këto përgjime vijnë te ju çështja është ezauruar nga prokuroria përkatëse, nuk dalin se i gjetët ju, këto përgjime janë pjesë e dosjes që shkon në gjykatë, gjithmonë. Dhe ka në fund një konkluzion, ose shkon një pjesë në gjykatë dhe ka hetime në vazhdim. Këtu ata e thotë copë, kanë hapur një dyqan rrobash dhe edhe nga ai dyqan rrobash kanë dalë me humbje dhe kanë ikur,nuk kanë investuar në Shqipëri. Çfarë duhet të investigohet këtu dhe pse jam unë që duhet ta kërkoj këtë gjë.
SPAK e di detyrën e vet, nuk varet nga unë dhe kërkesat e mia. Shyqyr Zotit bën punën, nëse ka diçka për të hetuar ta hetojë pa diskutim fare, ku ta gjesh ta hetojë SPAK që të dalë çfarë ka për të dalë. Dhe tjera, atë të politikanëve ta mbani për vete se siç nuk janë mediat të gjitha njësoj dhe ju nuk jeni njësoj edhe politikanët nuk janë njësoj. Patjetër që politikanët që kanë funksione publike kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme por kaq përgjegjësi të jashtëzakonshme keni dhe ju që duke krijuar një mjedis ku në 10 gjëra që thuhen, 9 janë gënjeshtra dhe 1 është e vërtetë, nuk është se kontribuoni si duhet për të nxjerrë në pah të vërtetat dhe përmes të vërtetave për të ndihmuar në këtë luftë.
Çfarë kërkon në këtë rast se është hata e madhe kjo. Për çfarë pyet? Bëni detyrën tuaj dhe në këtë rast e keni përpara, pse duhet ta di unë dhe mos ta dini ju, pse duhet ta merni vesh nga unë kur vini këtu që këtë konkluzion e ka nxjerrë prokuroria italiane. Paska shkuar në SPAK një padi për Erion Veliaj, të shkojnë 1000 padi për të gjithë, nuk do të thotë asgjë. Paditë te SPAK janë bërë pjesë e kësaj propagande, e kësaj poshtërsie nga ata të cilët e ushqejnë këtë kanal plot me llum se nuk kanë asnjë mundësi tjetër, asnjë shpresë tjetër, asnjë ide tjetër sesi mund të fitojnë zgjedhjet dhe përshkallëzojnë vetëm prurjet e llumit.
Pikërisht pse nuk jemi të gjithë njësoj unë po mbaj një qëndrim për të gjithë ata, nuk po them mos shikoni pse përmendet ky, në fakt këtu është Ilir Meta, është Ilir Kulla, është Lulzim Basha, nuk po i them fare. Të flasin dy italianë atje dhe ne të mbajmë përgjegjësi këtu, jeni në terezi nga trutë e kokës apo jo? Si mund ti bëhet vendit kjo, se kam fare për vete se e di shumë mirë se çfarë jam, kush jam dhe sa pyes për këdo qoftë. Fare nuk pyes për asnjeri përballë detyrës time dhe raportit që kam me veten, por e kam me faktin që ky popull ka disa ditë që dëgjon këtë histori të ulët, të shpifur,të neveritshme të cilën e rrotulloni ju vazhdimisht dhe kjo është neveri. Bukuri që del lajmi po konkluzioni pse nuk del? Për çfarë arsyeje? Kësaj pyetje duhet ti përgjigjeni ju.