Vrasja e çiftit Pasho, Elona qëndron në burg

Gjykata e Rishqyrtimit të Firenzes, ka hedhur poshtë kërkesën e avokatëve të 36 vjeçares shqiptare Elona Kalesha, për të ndryshuar masën e arrestit me burg në arrest shtëpiak nën akuzën e vrasjes së dyfishtë, masakrimit e fshehjes së trupave të Shpëtim e Teuta Pashos, prindërit e Taulant Pashos, ish i fejuari i saj.

Gjykata e Rishqyrtimit nuk ka pranuar pretendimin e avokatëve mbrojtës të shqiptares të cilët e motivonin në tre pika kryesore;

1- nuk është provuar identifikimi i Elona Kalesha, si personi që transportonte valixhet

2- nuk është zbardhur kontributi i Elonës, në këto vrasje, pra nuk është ndërtuar akoma dinamika e vrasjes

3- nuk është e mundur që Elona Kalesha, të ketë vrarë në të njëjtin moment dy persona fizikisht më të mëdhenj se ajo e për më shumë të transportoheshin me valixhe që peshojnë qindra kg si dhe nuk dihet motivi e data e kryerjes së kësaj vrasje.

Por mesa duket mbrojtja e 36 vjeçares shqiptare, nuk ka bindur gjykatësit italianë të cilët i kanë quajtur të vlefshme akuzat për të rikonfirmuar urdhërin e arrestit me burg për Elona Kalesha. Prej datës 24 dhjetor, Elona Kalesha ndodhet në burgun e Firenzes, e deri më tani nuk ka pranuar t'u përgjigjet pyetjeve të prokurorëve.

Katër valixhet me pjesët e trupave të Shpëtim e Teuta Pashos, u gjetën në ditë të ndryshme prej 10 deri më 16 dhejtor 2020 në afërsi të burgut të Solleccianos, ku vuante dënimin me akuzën e trafiktut të drogës djali i tyre Taulant Pasho, dhe pak metra larg banesës ku Elona Kalesha e Taulant Pasho bashkëjetonin.

Prokurorët e çështjes e kanë të qartë se vrasjet, masakrimi i trupave, fshehja e hedhja e valixheve nuk janë kryer nga një person i vetëm e hetimet e tyre janë përqëndruar në gjetjen e bashkëpunëtorëve të Elona Kalesha.

Prokurorët presin gjithashtu raportet e policisë shkencore mbi trupat e viktimave si dhe në dy apartamentet e vënë nën sekuestrim. Apartamenti ku jetonte çifti Pasho, deri para zhdukjes së tyre, e aparatamenti ku banonte Elona Kalesha e Taulant Pasho.

Prokurorët italianë janë në bisedime me autoritetet zvicerane për marrjen së shpejti në pyetje të djalit të viktimave, Taualnt Pasho i cili aktualisht ndodhet në një burg të Zvicrës nën akuzën e grabitjes.

Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik italian e komunitetin shqiptar në Itali.