Ngrin Valbona, Oboti i Shkodrës vijon nën ujë, në Torovicë të Lezhës rrëshqitje dherash
Ndërsa ultësira perëndimore po përballet me pasojat e përmbytjeve, në verilindje, vështiresi po shkakton acari që pasoi reshjet e shiut e borës. Rrëshqitjet e dherave vijojnë të rrezikojnë familjet në Torovicë, ndërsa në Shkodër harta e përmbytjes është zgjeruar. Ministrja e Bujqsisë dhe kryebashkiakja e Shkodrës u bënë bashkë në Obot në shpërndarjen e bazës ushqimore për gjënë e gjallë.
Pas reshjeve të dëborës e shiut, në verilindje probleme po shkakton acari.
Këto pamje vijnë nga Valbona në Tropojë. Akulli i krijuar pas temperaturave të ulta ka dëmtuar rrjetin elektrik.
Për pasojë, Valbona, Dragobia e fshatra të tjerë malorë në Tropojë kanë disa ditë pa energji.
I njëjti fenomen është krijuar edhe mbi pemët që kanë zënë shtresë akulli disa cm të trashë.
Probleme të vazhdueshme ka pasur në rrugët e zonave malore.
Ndërprerje të energjinë elektrike ka edhe në disa njësi administrative në Kukës , ku puna për riparimin e defekteve vështirësohet nga ngricat.
Tre familje janë detyruar të braktisin banesat dhe tre të tjera rrezikohen nga rrëshqitja e dherave në Torovicë të Lezhës që bashkë me Zadrimën janë zonat më të prekura nga përmbytjet.
Edhe pse 24 orët e fundit reshjet e shiut kanë pushuar, sipërfaqja e përmbytur në shkodër është rritur në 1903 hektarë tokë nën ujë dhe rruga e Obotit mbetet e pakalueshme.
Nisja e shpërndarjes së bazës ushqimore për gjënë e gjallë bëri bashkë Ministren e Bujqësisë, Milva Ekonomi me kryebashkiaken demokrate Voltana Ademi.
Sipas IGJEUM reshjet do të vazhdojnë me intensitet të ulët, ndërsa lumenjtë do të zbresin në kuota brenda 14 Janarit
Në veri, lindje dhe juglindje të vendit në lartësitë mbi 400m reshjet do të jenë në formë bore.