Reshjet e shiut, çahet rruga në Kukës, rrëshqitje dheu në aksin Dushaj – Lekbibaj

Ashtu si edhe në qytetet e tjera, edhe në Kukës duket se situata nga përmbytjet ka nisur të përmirësohet me pakësimin e reshjeve të shiut.

Mësohet se është normalizuar situata në hidrocentralin e Fierzës, ku prurjet janë 1600 m/s.

Akset rrugore në administrim të bashkive janë të qarkullueshme.

Probleme janë hasur në aksin Kukës-Krumë në kilometrin e 9, ku rruga ka pësuar çarje nga rrëshqitja e dheut. Gjithashtu edhe në aksin rrugor Dushaj - Lekbibaj ku ka shembje dheu. Gjithsesi kompanitë kontraktore po vëzhgojnë dhe po punojnë për rregullimin e këtyre problematikave.

Niveli i ujërave të lumenjve nuk ka patur rritje gjatë natës.

Furnizimi me energji elektrike në përgjithësi është normal në të gjithë Qarkun Kukës përveç Njësisë Administrative Bushtricë, Grykë-Çajë, Ujmisht, Shishtavec, Topojan,  Zapod të Bashkisë Kukës dhe fshatrat Dragobi e Valbonë  Njësia Administrative Margegaj, Bashkia Tropjë.

Dëmtimi i rrugës Kukës-Krumë ka detyruar ekspertët e ARRSH-së të zbarkojnë në zonë për të inspektuar dëmtimet.

Ekspertja e ARRSH-së shprehet se “Këto janë grupe punë që janë shpërndarë nëpër gjithë segmentet ku janë problematikë  të cilët vendosin punimet që do të kryen më pas domethënë  të gjitha punimet dëmtimet që janë do të realizohen nga kompanitë e mirëmbajtjes nëpërmjet fondeve kontraktuale që kanë"

Në fakt bëhet fjalë për një aks në të cilin është investuar  1.9 miliardë lekë, por duket se as zyrtarët në atë kohë nuk kanë bërë verifikimet e duhura. Teksa sot pas dëmtimit parashikojnë ndërhyrje.

Në fund të vitit 2020 për mirëmbajtjen e rrugës u dhanë 154.4 milionë lekë pa TVSh, me një kohë zgjatje prej 48 muajsh. Tenderi rezulton të jetë fituar nga bashkimi i operatorëve MARSI - ARBOTEC – OUEN.