Vaksina anti-Covid në Shqipëri, dozat Pfizer nga Gjermania, shiringat nga Italia

Nisja e vaksinimit për mjekët e epidemiologët ka sjellë dhe reagimin e të moshuarve të cilët kanë kërkuar të marrin dozën e parë. Në ditën e dytë të fushatës sërisht zyrtarët nuk kanë pranuar të tregojnë origjinën e vaksinës, edhe pse kanë zbuluar një dokument për importimin nga Gjermania.

Edhe pse në ditën e dytë të ndarjes së 975 dozave të vaksinës anti-Covid, ende nuk dihet zyrtarisht se kush ia bëri dhuratë Shqipërisë, por ky dokument tregon se ato kanë ardhur nga Gjermania dhe kanë mbërritur në Shqipëri  në datën 11 janar.

Ora News ka arritur të sigurojë dokumentet ku provohet se dozat e vaksinës Phizer kanë mbërritur me avion nga Gjermania në aeroportin e Rinasit, ndërkohë shiringat kanë mbërritur nga Italia.

Nga dokumenti mësohet se ata kanë ardhur dorazi.

Kosova e para në Ballkan për vaksinën, Shqipëria e katërta

Në ditën e dytë të vaksinimit pranë stadiumit nuk ishin vetëm mjekët.

Të moshuarit kërkonin të bëheshin pjesë e vaksinimit.

"Dua të bëj vaksinën, më tha kryeministri."

Por nuk munguan as ata që tentojnë çdo ditë të futen në ambientet e posaçme për të marrë dozën e parë.

Për Akademinë e Shkencave në Shqipëri numri i personave që kanë kaluar koronavirusin shkon në 600.000, por ende larg imunizimit të tufës.

Sipas ekspertes së vaksinimit, Erida Nelaj, deri tani askush nuk ka shfaqur efekte anësore.

Që herët sot kanë mbërritur këtu epidemiologët dhe stafet shëndetësore të njësive vendose që kanë marrë mostrat në terren dhe të testeve të shpejta, pasi konsiderohen prioritar. Kemi tre pika të urgjencës kombëtare që vëzhgojnë, por nuk ka pasur asnjë rast”.

Kjo është konfirmuar edhe nga vetë mjekët e infermierët dhe epidemiologët e vaksinuar.

"Gjithçka normale, jemi shumë të kënaqur."

Vaksinat e para Pfizer janë llogaritur  të përdoren 2 doza për një person, pasi sipas ekspertëve të shëndetësisë ajo nis të jap efekte pozitive 7 ditë pas vaksinës së dytë.  

Në javën e tretë të janarit pritet që në Shqipëri të mbërrijnë edhe 10 mijë vaksina duke u pasuar me 30 mijë doza në shkurt.