Dita e dytë e vaksinimit: Sot radha e epidemiologëve, funksionuan 15 postacione
Ndryshe nga dita e parë, këtë të martë në listën e personave për tu vaksinuar u përfshirë edhe epidemiologët.
Ekspertja për vaksinimin në ISHP, Erida Nelaj thotë se procesi shkoi normalisht dhe se deri tani tek askush nuk janë shfaqur efekte anësore.
“Që herët sot kanë mbërritur këtu epidemiologët dhe stafet shëndetësore të njësive vendose që kanë marrë mostrat në terren dhe të testeve të shpejta, pasi konsiderohen prioritar. Kemi tre pika të urgjencës kombëtare që vëzhgojnë, por nuk ka pasur asnjë rast”.
Megjithëse fillimisht nga përfaqësuesit e shëndetësisë u tha se do të vaksinoheshin rreth 60 persona në një orë, në ditën e dytë kanë funksionuar vetëm 15 postacione.
Nelaj u shpreh më tej se rëndësia e vaksinës i ka bërë që të punojnë më ngadalë, për të mos pasur asnjë dozë të humbur apo problem tjetër.
“Këtë po e bëjmë edhe për t’ ja marrë dorën, pasi stafi janë trajnuar online dhe këtu në stadium. Dje ishte hera e parë dhe sot duket që ecën më mirë. Duke parë ecurinë do fillojmë të rrisim kapacitetet.”
Ndërkohë që ka nisur puna për krijimin e dy pikave të tjera në Vlorë dhe Shkodër dhe brenda pak ditëve pritet të jenë gati.
Vaksina anticovid shfaq efikasitet te qytetarët 7 ditë pas dozës së dytë, ndërsa të vaksinuarit do të mbahen nën vëzhgim rreth dy javë.