Grabitja në Korçë: Kambistit iu grabitën 4 mln lekë, një i arrestuar, 2 në kërkim

Policia e Korçës zbulon shumën e parave që janë vjedhur me dhunë në banesën e kambistit mëngjesin e 11 janarit 2021.

Mësohet se tre grabitësit kanë arritur ti marrin me dhunë çantën me 4.000.000 lekë kambistit Shefqet Muço para banesës së tij në lagjen nr 1 të Korçës.

Policia informon se është arrestuar njëri prej autorëve, i dyti është identifikuar dhe është shpallur në kërkim ndërsa po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tretë të dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në vijim të punës intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 11.01.2021, në lagjen nr. 1 të qytetit të Korçës, ku tre shtetas i vodhën me dhunë një sasi prej 4.000.000 lekësh, shtetasit Sh. M., 57 vjeç, para banesës së tij, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Ç., 42 vjeç, banues në Durrës, si edhe shpallën në kërkim shtetasin M. A., 33 vjeç, banues në Korçë" informoi sot policia e Korçës

Lexo dhe: Si u përlesh me grabitësit Kambisti

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale "Vjedhja me dhunë" e kryer në bashkëpunim dhe "Plagosja e rëndë me dashje".