"Doni apo s'doni spitali do ndërtohet" Rama në Fier, zbulohen negociatat me pronarët e tokës
Kryeministri, Edi Rama, ua ka bërë të qartë banorëve të Mbrostarit se spitali rajonal i Fierit nga Turqia do të ndërtohet në tokën e caktuar nga qeveria me apo pa dakordësinë e pronarëve.
Për takimin e Ramës me banorët, zyra e shtypit e qeverisë nuk ka transmetuar asnjë informacion, por vetë pronarët shprehen se Kryeministri i ka paralajmëruar se nuk do ketë tërheqje nga qeveria.
“Erdhi dhe na tha: Doni apo nuk doni kjo është vendosur. Nuk e kthejmë dot mbrapsht. Ju mund ta ndiqni me gjykatë por kjo është e vendosur. U thamë që ajo tokë është e vetmja e ardhur që kemi. I thamë çmimin që ka toka por na tha nuk i vendos unë. Edhe ne duam të ndërtohet spitali por jo të tallen me ne.”
Rama me kompaninë turke: Ky është një premtim i Presidentit Erdogan
Pak më herët kryeministri Edi Rama ka njohur kompaninë turke me 5 hektarët e tokës, e cila do të ndërtojë spitalin rajonal të Fierit.
Sipas përfaqësueseve të kompanisë, vetëm 20-30% e punonjësve do të jenë forcë pune nga Shqipëria.
“Spitali në Fier do të kushtojë rrej 60-70 mln euro dhe siç kanë bërë me dije përfaqësues nga Turqia do të punohet 24 orë në 24. Përfaqësuesi i Turqisë tha se në kulmin e saj do të jetë 100-1200 punonjës, nga të cilët 20-30% do të jetë shqiptarë.”
Rama i ka kujtuar sërish nga Fieri premtimin e Presidentit Erdogan për ta ndërtuar për një afat kohor prej 3 muajsh.
Rama: Ky është premtimi i Presidentit, nëse nuk mbahet premtimi është për shkak të tij, jo timin, se njerëzit nuk duhet ta harrojnë këtë.
Qeveria i premtoi kompanisë turke se nuk do të kenë asnjë pengesë nga autoritetet shqiptare për dokumentat.
Rama ne Fier inspekton zonen, negociata me pronaret e tokes
Paraditen e sotme kryeministri Edi Rama po inspekton vendin e përzgjedhur për ndërtimin e spitalit Rajonal të Fierit, ku banorët kundërshtojnë të japin token.
Mediat po mbahen larg kësaj vizite të kryeministrit dhe deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar, por pamjet tregojnë se kreu i qeverisë shoqërohet nga zyrtare locale.
Ndërkohë një grup i pronarëve të tokës që kundërshtojnë shpronësimin, ndodhen pranë parcelave të tyre dhe pritet të ketë një takim edhe me kreun e qeverisë.
Një ditë më parë banorët thanë se nuk do ta japin tokën për spital, por Kryeministri Paralajmëroi se do të përdoret ligji i shpronësimit për interes publik