Të moshuarit i drejtohen "Air Albania", duan të vaksinohen
Kjo e martë shënon edhe nisjen e ditës së dytë të vaksinimit anticovid.
Procesi i vaksinimit do të zhvillohet në 60 sportelet e stadiumit “Air Albania”, ndërkohë që dozat e para po i marrin personeli shëndetësor që është në front të parë të luftës me virusin.
Aktualisht aktive janë 15 sportele.
Sot po ndiqen rastet e epidemiologëve në rang vendi, ndërkohë që në dyert e stadiumit janë paraqitur edhe të moshuar.
Kjo angari ka ardhur si rezultat i mospasjes së një informacioni të saktë se kur do të nisë procesi i vaksinimit të tyre.
Të moshuarit do të vaksinohen në shtëpitë e të moshuarve.
Sakaq kryeministri Edi Rama ka vizituar ambientet e Air Albania, ndërkohë që gjatë një diskutimi me Silva Binon është informuar që vaksinimi i të moshuarve do të nisë krahas atij të personelit shëndetësor. Gjithsesi një datë të saktë ende nuk ka.
“Kemi dhe të moshuarit që do të vaksinohen në shtëpitë e të moshuarve. Të moshuarit do të fillojnë menjëherë krahas personelit shëndetësor”, dëgjohet të thotë Bino.
Edhe ditën e djeshme, ka pasur një numër të lartë të qytetarëve që i janë drejtuar stadiumit “Air Albania” për të marrë dozën e parë të vaksinës, por nuk janë lejuar të futen brenda për shkak se është caktuar një radhë e vaksinimit ku primare janë bluzat e bardha dhe të moshuarit.

Çifti i të moshuarve nxiton për te “Air Albania”: Kemi ardh për vaksinën, me zor po presim