“Darkë me 1 mijë dollarë bifteku” Basha: Rama nuk ka turp! Anëtarët e kabinetit kanë shumëfishuar pasurinë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se qeveria nuk e ka fokusin tek qytetarët por tek vetëm tek pasurimi përmes vjedhjes.
Për këtë Basha iu referua videos virale ku disa ministra dhe zyrtarë të PS-së po darkonin në një ndër restorantet më të shtrenjta në Dubai.
Luzim Basha tha se është koha për ndryshim, është koha për një qeveri që mendon për qytetarët.
Basha: Dy ditë më parë u bë publike se si kur e gjithë Shqipëria ishte përmbytur, qindra e mijëra qytetarë kishin ngelur në çadra, ministrat e Edi Ramës po darkonin në një nga restorantet më të shtrenjta të botës. 1000 dollarë bifteku. Ndërkohë që njerëzit po shtyhen drejt krizës më të thellë të këtyre viteve.
Rama nuk ka turp, por para ka shumë. Dje u publikua një raport ku thuhet se anëtarët e kabinetit kanë shumëfishuar pasurinë përgjatë këtyre viteve qeverisëse. Aty u interesojnë paratë dhe jo qytetarët, nuk i kanë në listë. Qeveritarët darkojnë me fatura të kripura 1 mijë dollarë bifteku. Nuk janë kujdesur për qytetarët, kanë harruar se cili është misioni i qeverisë.
Ky është një kryeministër që mendon vetëm për paratë e veta dhe jo për ju të dashur qytetarë. Është koha për ndryshim dhe një qeveri që të mendojë për ju, për hallet e tuaja, për problemet tuaja. Është koha që qeveritarët që abuzojnë me ju dhe me të ardhurat tuaja të shkojnë përpara drejtësisë.
Kryetari i opozitës tha, se pas 8 vitesh dështime , premtimesh boshe, skandalesh të Edi Ramës, duket sikur qytetarët janë mësuar me gjithçka. E këtë ai e cilësoi si shumë të rrezikshme dhe shkatërrimtare për shoqërinë.