Futbollisti më i vjetër në botë/ Japonezi rinovon kontratën në prag të 54-vjetorit

Kazuyoshi Miura u bë futbollisti profesionist më i vjetër në botë gjatë vitit të kaluar, pasi vijonte të luajë me skuadrën e Yokohamas, në kategorinë e parë japoneze edhe pse ishte plot 53 vjeç.

Megjithatë, sulmuesi që më 26 shkurt do të festojë 54-vjetorin e lindjes, nuk ka ndërmend të ndalet, pasi sot ka rinovuar kontratën me klubin japonez edhe për një tjetër sezon.

Kjo është hera e pestë që Miura firmos kontratë 1-vjeçare me Yokohaman, fanellën e të cilës e vesh që prej vitit 2005 dhe pavarësisht moshës, po tregon se ka ende për të dhënë në fushën e lojës.

Sezonin e kaluar Kazuyoshi Miura luajti 6 ndeshje zyrtare, 4 prej të cilave në kampionat dhe dy të tjera në Kupën e Ligës, ndërsa nuk shënon gol që prej vitit 2017.

Ai numëron plot 89 ndeshje dhe 55 gola me kombëtaren japoneze në periudhën 1990-2000, ndërsa në 2012-ën iu bashkua edhe përfaqësueses së futbollit të sallës.