Vllaznia në krye të Superligës, Djarmanti: Kemi trajner me eksperiencë, euforia s'do të jetë problem
Vllaznia është me meritë në krye të Superligës, ndërsa fitorja me Teutën të premten në “Loro Boriçi” rriti diferencën e shkodranëve me ndjekësit, duke përfituar edhe nga hapat falsë të rivalëve direkt për titull Partizani, Kukësi dhe Tirana.
Në një lidhje Skype për emisionin “Ora Sport” në RTV Ora, Drejtori Sportiv i Vllaznisë Marko Djarmanti komentoi ecurinë e skuadrës kuqeblu dhe objektivat sezonalë.
I pyetur se, a është rrezik për Vllaznisë euforia e këtij momenti shumë të mirë, Djarmanti u shpreh se nuk e sheh këtë gjë si problem për vazhdimësinë.
“Nga java e dytë kur kemi marrë vendin e parë e deri më sot gjithmonë flasim për eufori. Unë vazhdoj punën time. Trajneri ka shumë eksperiencë për momentin ku jemi dhe unë nuk shoh se euforia do të jetë problem i Vllaznisë në vazhdim”, tha kroati, njohje e vjetër e kampionatit shqiptar.
Pas 13 javësh kampionat, Vllaznia kryeson në kuotën e 29 pikëve, 9 më shumë se Partizani, Laçi dhe Teuta që e ndjekin nga pas.
Javën e ardhshme, shkodranët luajnë në transfertë përballë Kukësit, që këtë fundjavë u mposht nga Laçi me rezultatin 3-2.
/a.r,OraNews