VIDEO/ Juve vuan por mposht Sassuolon, afrohet më shumë me kreun

Pas fitores 1-3 ndaj Milanit në mesjavë, Juventus merr fitoren e rradhës në Serie A.

Përballë Sassuolos, që luajti të gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak, djemtë e Pirlos vuajtën jo pak.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, megjithëse të dy ekipet patën rastet e tyre për shënim.

Duhet theksuar se në minutën e 42, Paulo Dybala u detyrua të lerë fushën për shkak të një dëmtimi. Ndërsa Sassuolo mbeti me 10 lojtarë pas ndërhyrjeje brutale të Obiang ndaj Chiesas, raporton Ora News.

Me fillimin e 45 minutave të dyta, Juventus shtoi presionin në portën e Sassuolos duke gjetur golin e avantazhit në minutën e 51 me autor Danilon.

Por Sassuolo reagoi menjëherë dhe pas 8 minutash barazoi shifrat me Defrel.

Por për ti rikthyer avantazhin Juventusit mendoi Ramsey, i cili në minutën e 82, tundi rrjetën, shkruan Ora News.

Ndërsa për të vulosur fitoren duhej të vinte goli i Cristiano Ronaldos në minutën e 2 shtesë.

Me këtë fitore, Juventus ngjitet në vendin e katërt, kuotën e 33 pikëve, 7 më pak se Milani kryesues. Ndërsa Sassuolo ndalet në vend të shtatë, në kuotën e 29 pikëve.

Javën e ardhshme të Serie A, Juventus rikthehet në “San Siro” këtë herë për tu përballur me Interin e vendit të dytë.

/a.r,OraNews