Rikthehet Superliga/ Sot Vllaznia-Teuta. Nesër 4 sfidat e tjera

Pushimet për festën e ndërrimit të viteve kanë përfunduar shpejt në Kategorinë Superiore dhe futbollistët duhet ta tretin menjëherë gjelin e detit, pasi në fundjavë do të zbresin sërish në fushë për të luajtur ndeshjet e javës së 13.

Viti i ri starton me një sfidë spektakolare, Vllaznia-Teuta, që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të premten në orën 18:00.

Lexo edhe:

Përforcimi më i ri i Vllaznisë, Avdijaj për Ora News: Do shpërblej besimin e Bërdariç

Kuqeblutë e drejtuar nga Thomas Brdariç mbajnë me meritë vendin e parë në renditje, ndërsa Teuta ka reaguar mirë javët e fundit dhe me tre fitore në 5 javët e fundit ia kanë dalë të ngjiten në vendin e dytë, ndonëse me 6 pikë më pak se shkodranët.

Lexo edhe:

Përballja me Vllazninë, Vila për Ora News: Nuk është vendimtare për titullin kampion

Katër sfidat e tjera të javës do të zhvillohen të shtunën e 9 janarit, teksa spikat ajo e orës 13:45 mes Laçit dhe Kukësit. Kurbinasit janë zgjuar nën drejtimin e Shpëtim Duros dhe numërojnë 3 fitore në 5 ndeshjet e fundit, teksa kanë barazuar me pikë edhe Kukësin.

Nga ana tjetër verilindorët numërojnë 3 humbje në 5 javët e fundit dhe as dorëheqja e Skënder Gegës nuk solli kthesën e pritur. Përballja në Laç do të jetë mjaft interesante edhe për faktin se bëhet fjalë për dy skuadra që të paktën në letër janë favoritet kryesore për të shkuar te titulli kampion.

Tirana ka harruar të fitojë, pasi ka mbyllur vitin me 4 barazime radhazi dhe do të kërkojë rikthimin te suksesi nga stadiumi “Adush Muça” i Ballshit, ku do të përballet me Bylisin vendas, që në këto javë të para ka shfaqur probleme dhe do të duhet të luftojë shumë për mbijetesën.

Një tjetër sfidë interesante është edhe ajo e Kamzës, mes Kastriotit dhe Skënderbeut, që gjithashtu do të startojë në orën 13:45. Krutanët kanë bërë mirë deri në këtë pikë të kampionatit dhe veçanërisht në shtëpi kanë ditur të marrin thuajse gjithmonë maksimumin.

Megjithatë Skënderbeu është plot 7 pikë larg krutanëve në renditje, ndaj një humbje në Kamëz do ta komplikonte luftën për mbijetesë dhe në kampin korçar e dinë mirë të gjithë që duhet të luftojnë shumë për të shmangur humbjen ndaj Kastriotit.

Në orën 16:45 në fushë do të zbresë Partizani i Ilir Dajës, që do të presë skuadrën e fundit në renditje, Apoloninë.

“Të kuqtë” janë të dënuar të fitojnë ndaj fierakëve për të ruajtur ritmin e kryesuesve, me shpresën që nga merkatoja do të vijnë të tjerë elementë cilësorë, për të rritur konkurrencën në grup.

Ndeshjet e javës së 13:

Sot, ora 18:00 Vllaznia-Teuta

Nesër, 13:45 Bylis-Tirana

Kastrioti-Skënderbeu

Laçi-Kukësi

Nesër, 16:45 Partizani-Apolonia

/a.r,OraNews