VIDEO/ Inter ngec sërish, Milan shkon në +3
Pas humbjes me Sampdorian në mesjavë, Inter ngec sërish, këtë herë në transfertën e vështirë ndaj Romës në “Olimpico”.
Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 dhe tani e sheh Milanin t’i shkëputet me 3 pikë më tepër në kreun e renditjes.
Zikaltrit e nisën vrullshëm ndeshjen dhe i shkuan pranë golit në 2-3 momente, por e para në avantazh kaloi Roma, teksa në minutën e 17’, pas një kundërsulmi të shpejtë, Pellegrini gjuajti nga distanca me topin që u devijua edhe nga Bastoni duke përfunduar në rrjetë.
Që nga ai moment sfida u luajt vetëm në gjysmëfushën e verdhekuqve, teksa goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 56’, me Milan Skriniar që kërceu më shumë se të gjithë gjatë një këndoreje dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Pau Lopez.
Vetëm 7 minuta më vonë ishte anësori maroken Achraf Hakimi, që lëvizi bukur nga krahu dhe lëshoi një gjuajtje fantastike me të majtën, duke e dërguar topin në rrjetën e portës së Romës dhe duke i dhënë avantazhin Interit.
Vijojnë minutat e mira për zikaltrit, teksa Hakimi, e Vidal kanë në këmbë edhe golin e tretë, por shpërdorojnë në mënyrë të pabesueshme, ndërsa më pas është radha e trajnerit Conte që të gabojë me zëvendësimet e tij.
Largimi i lojtarëve si Lautaro, Vidal e Hakimi, për Perisiç, Kolarov e Gagliardini uli ndjeshëm forcën sulmuese të zikaltërve, ndërsa nga kjo përfitoi maksimalisht Roma, që pas disa tentativave radhazi, gjeti golin në minutën e 86’ me anë të Mancinit.
Me këtë barazim Roma shkon në kuotën e 34 pikëve në vend të tretë, 3 më pak se Inter që numëron 37.
Në javën e ardhshme, Inter pret në shtëpi Juventusin, ndërsa Roma luan derbin e kryeqytetit përballë Lazios.