Shkarkimi nga drejtimi i KOKSH, Bezhani akuza të forta anëtarëve: E kanë mendjen te lekët
Ditën e sotme u zhvillua Asamblea e Jashtëzakonshme e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, KOKSH, e cila ka votuar për shkarkimin e presidentit aktual Viron Bezhani.
Me 45 vota pro dhe 9 kundër ajo vendosi që Bezhani të mos jetë më president institucionit të lartë olimpik në vend.
Viron Bezhani ka qenë sot i ftuar në “Ora Sport” në RTV ku u shpreh se, është parë një abgazhim edhe nga politika që asambleja të kryhej në mënyrë të fshehtë edhe pse vetë qeveria nuk lejonte zhvillimin e saj në kushtet e pandemisë.
“Duke patur parasysh situatën, është me të vërtetë normale që ne të zhvillonim mbledhje për ndryshime statutore. Dhe e kishim vendosur, e kishim vënë në program. Kjo është kërkuar dy here nga ana ime dhe nuk është zbatuar për arsye se vetë shteti ka ndërhyrë dhe ka thënë nuk mund të organizosh asamble në këto momente. Dihet, për shkak të pandemisë. Edhe vetë ministri, edhe vetë shkresa zyrtare që na erdhi, tregon se ata nuk lejonin të zhvillohej një asamble e tillë.
Në kundërshtim me këtë, shohim një angazhim të jashtëzakonshëm të politikës dhe disa personave në kryesi që donin ta bënin me çdo kusht në mënyrë të fshehtë. Dhe ja arritën qëllimit”, u shpreh Bezhani.
Albana Bejko: Cilët janë? Ju keni patur një konflikt të hershëm me Sekretarin e Përgjithshëm…
Viron Bezhani: Shoh që shpeshherë kapet si diçka personale. Nuk është problem te konflikti me sekretarin. Me të ne kemi patur probleme sa i përket transparences. Por kjo transparence e kërkuar prej meje ishte e mbrojtur edhe nga disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, të cilët kanë një konflikt të hapur interesi. Ata janë zgjedhur nga vetë sekretari, i cili në mënyrë të fshehtë në asamble ka shpërndarë edhe letra. Unë e kisha mendjen te një Asamble normale, siç I takon demokracisë, ndërsa këta kanë punuar mbrapa shpine. Këta e kanë mendjen te lekët dhe për ti shërbyer vetes së tyre”