"Kur kërkojnë vota na hedhin duart në qafë", banorët e Sharrës pa rrugë dhe drita
Nuk është vetëm landfilli shqetësimi i vetëm i banorëve të Sharrës. Marrja e pronave pa dëmshpërblim shënoi vetëm kthimin e vëmendjes te ta, këtë herë prej medias e jo nga shteti.
Kjo gjurmë është rruga që të çon drejt fshatit.
Banorët thonë se prej më shumë se 40 vitesh nuk kanë parë asnjë investim.
"Ka 40 vjet që nuk është shtruar, me çizme, baltë vendi, fëmijët shkojnë në shkollë."
Përveç kushteve mjerane të kësaj rruge, sikur të mos mjaftonte, banorët tregojnë edhe për mungesën e energjisë elektrike.
"Të na rregullojnë dritat, janë të dobëta, duhet të ngrihesh në katër të mëngjesit që të punojë lavatriçja."
Premtimet kanë qenë të shumta, por vetëm gjatë fushatave elektorale.
"Kur kanë hallin e vet bëjnë si burra të mirë, të vënë duart në qafë kur duan të marrin votat. Pas zgjedhjeve nuk duan t'ia dinë për ne."
Teksa në këtë zonë po hidhen me miliona euro për landfillin e Sharrës, duke u marrë tokat banorëve pa i dëmshpërblyer, realiteti pak metra më larg është si në mesjetë.