Muzika në zi, kantautori i njohur Kujtim Prodani humb jetën nga koronavirusi
Kujtim Prodani u dorëzua të mërkurën përballë virusit SARS-CoV-2 në moshën 57-vjeçare.
Kantautori i muzikës së lehtë shqiptare humbi jetën në ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi” ku ishte shtruar prej disa ditësh për shkak të komplikacioneve nga koronavirusi.
Pak ditë më parë vetë Kujtim Prodani publikoi një foto me maskë oksigjeni nga spitali, teksa e cilësonte virusin si “flamë e keqe”.
Vetëm pak minuta nga publikimi i lajmit të shumta ishin mesazhet e ngushëllimit nga familjarë e artistë.
6 janari e ndau vetëm fizikisht Kujtim Prodanin nga jeta dhe muzika.
Këngët aq shumë të dashura, repertori i pasur janë trashëgimi e çmuar që ai lë pas përjetë për artëdashit e tij.
Ai është autor i 57 teksteve këngësh. Në Nëntor 2003 merr pjesë në Kënga Magjike 2003 dhe që prej atëherë aktiviteti i tij artistik nuk është ndalur asnjëherë.
Kujtim Prodani ishte djali i dy artistëve të mirënjohur Agim Prodani dhe Anita Take.
Reagimet për ndarjen nga jeta të kantautorit
Ministrja e Kulturës Elva Margarti është shprehur mjaft e trishtuar nga kjo humbje e parakohshme, ndërkohë që shton se Prodani sot i është bashkuar prindërve të tij.
"Nuk gjej fjalë të përshkruaj trishtimin që ndjej nga humbja e parakohshme e kantautorit Kujtim Prodani. Djali që i këndoi Tiranës, dashurisë, jetës sot iu bashkua prindërve të tij të nderuar Anita e Agim Prodani... Është shumë herët për t'u ndarë nga ky mik i mirë i të gjithëve. U prehsh në paqe," shkruan ajo.
Edhe Presidenti Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të Prodanit, duke shkruar se muzika e tij do të dëgjohet përherë.
“Një humbje e madhe për artin shqiptar!
U shua sot kantautori ynë i shquar, artisti virtuoz dhe qytetari model, Kujtim Prodani, djali i dy prindërve të mrekullueshëm dhe artistëve të paharruar Anita Take dhe Agim Prodani.
Shumë dhimbje! Ngushëllimet më të ndjera të afërmve, komunitetit të këngëtarëve dhe të gjithë artdashësve. Këngët dhe muzika e Kujtim Prodanit do dëgjohen përherë”, shkruan Meta.