Vrasja e dy motrave, rrëfimet në polici për prostitucionin dhe trafikimin e fëmijëve në Greqi
Pas kërkesës së prokurorisë, policia e Tiranës ka marrë në pyetje familjarët e dy motrave të vrarë mëngjesin e 31-dhjetorit. Ata janë pyetur për deklaratat e bëra publike ku ngrejnë akuza ndaj autorit se ka detyruar motrat për prostitucion dhe të shesin fëmijët.
Policia e Tiranës ka marrë në pyetje motrën dhe djalin e Zhaneta Metanit lidhur me akuzat e bëra publike se autori i vrasjes Përparim Ademi u ka trafikuar fëmijët gjatë kohës që qëndronin në Greqi.
Pas kërkesës së prokurorisë, ata janë marrë në pyetje për rreth tre orë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.
Burime nga policia pohuan se Adriana, motra e dy viktimave, u qëndron edhe një herë deklarimeve të bëra publike se autori Përparim Ademi ka detyruar dy motrat e saj, Zhanetën dhe Kristinën, të lindnin dhe të shisnin fëmijë.
Sipas saj kjo ka ndodhur kur dy motrat jetonin në Greqi, mes viteve '90 dhe '97.
Ato janë mbajtur në një hotel po në Selanik, ku dyshoheshin se shfrytëzoheshin për prostitucion.
Sipas Adrianës, historinë e dy motrave, ajo ka pohuar se e ka marrë vesh pak vite më parë, ku dyshohet se bëhet fjalë për të paktën 10 fëmijë të trafikuar.
Sipas familjarëve të viktimës, dyshohet se Përparim Ademi ka patur dijeni se Zhaneta dhe Kristina u kanë treguar familjarëve episodet e kryera në Greqi.
Në pyetje është marrë edhe djali i mitur i Zhanetës, i cili ka sqaruar dhe ka dhënë detaje konkrete para grupit hetimor mbi ekzekutimin e të ëmës dhe tezes së tij.
Këtë të mërkurë djali i Përparim Ademit ka bërë publike mesazhet ku pretendohet se vëllezërit e dy motrave të vrara e kanë kërcënuar me jetë menjëherë pas ngjarjes.
Në lidhje me kërcënimet që pretendohen se i janë bërë djalit të Përparim Ademit, Adriana ka pohuar para grupit hetimor se nuk ka dijeni se familjarët e saj kanë bërë një gjë të tillë, dhe nuk kanë arsye për ti kërcënuar për sa kohë që autori është arrestuar nga policia dhe po përballet me drejtësinë.
Sipas burimeve mësohet se autori i ngjarjes, 59-vjeçari Përparim Ademi ka tentuar vetëvrasjen në ambientet e burgut.
Ai është dërguar menjëherë në spital, ku pas mjekimit është rikthyer në ambientet e paraburgimit.