"2020-a dhe shpresa në një dialog"

Sonila Meço në emisionin Tempora së bashku me Rebekën kanë sjellë në vëmendje një dialog mjaft të bukur mes Elona Casllit dhe Aminhas.

Ju ftojmë ta lexoni më poshtë dialogun e lexuar në Tempora:

Me Rebekën i japim zë dialogut mes Elona Casllit dhe Aminhas:
"O Lonë ç’po bën?! Unë jam në shtëpi me nonën. Mami dhe babi janë në punë. U mërzita dhe thashë të shkruaja. Po ti, a je mërzitur?!

E gjithë bota është e mërzitur Aminah. Bota është e mërzitur dhe ka nevojë për një përqafim. E ke parasysh atë globin që të solla për ditëlindje kur mbushe 9 vjeç?! Po ta rrotullosh, do të lexosh mërzinë dhe trishtimin brenda tij. I tërë globi mban mërzitjen që ke ti.

O Lonë, po mirë, si thua ti a do iki ky virusi?!

Unë them t'i dërgosh një letër Babagjyshit të Vitit të Ri dhe t'ia kërkosh si nder. Ai mund ta marrë virusin dhe ta hedhë në një kazan të madh plehrash, larg botës.

O Lonë, po mami më tha që ai nuk udhëton këtë vit dhe nuk shpërndan dhurata?!

Aminah, ai vërtetë nuk udhëton, por i dëgjon dhe i lexon të gjitha kërkesat. Ti dil tek dritarja natën e Vitit të ri dhe përzgjidh një yll. Dhe atij ylli thuaji ta marrë virusin.

O Lonë, po ti çfarë dëshire do shprehësh tek ylli?!

Unë do shpreh dëshirën që mos t'i shoh më me maska fëmijët në shkollë. Që ta shoh fytyrën tënde të bukur pa maskë. Që të të shoh ty teksa merr frymë e lirë.

O Lonë, po mirë, si thua ti, a do na dëgjojnë yjet?!

Nëse çdo njeri në botë, përzgjedh një yll dhe i flet, atëherë yjet do të na dëgjojnë. Ka aq shumë yje në qiell Aminah!
Duke u folur yjeve i flasim edhe vetes.

O Lonë, po sikur yllin që do të zgjedh unë, ta ketë zënë gjumi në orën dymbëdhjetë dhe të mos ta dëgjojë dëshirën time?!

E dashur Aminah nëse yllin tënd e ka zënë gjumi, ti do ta zgjosh duke i lexuar këto fjali;

Zgjohu ti yll qiellor dhe dëgjomë. Dëgjomë dhe zgjoji vullnetet e ndrydhura mbi tokë. Zgjoje arsyen mbi tokë. Zgjoje ndërgjegjen mbi tokë. Zgjoje jetën mbi tokë. Zgjoje dashurinë mbi tokë.
Zgjohu ti o yll qiellor dhe dëgjoma dëshirën!

O Lonë, po është içik e vështirë. Po sikur të harroj ndonjë fjali, apo nuk duhet ta mësoj përmendësh?!

Jo, Aminah, nuk është detyrë shtëpie që po ta jep mësuesja në shkollë. Nuk duhet ta mësosh përmendsh. Mund ta lexosh me zë të lartë dhe po bëre ndonjë gabim nuk ka problem. Mjafton ta lexosh me zë të lartë disa herë, që edhe po e pat zënë gjumi yllin tënd, ti ta zgjosh”.